Arrestohet një i dyshuar në Banjskë, iu gjet pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe
Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar një person në fshatin Banjskë të Zveçanit nën dyshimin se ka kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.
Arrestimi është thënë se është bërë dje, më 14.10.2024 në 14:45h, teksa është njoftuar se i arrestuari më pas me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia bëri të ditur se në shtëpia e të dyshuarit është kontrolluar dhe se tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me nëntë fishekë dhe një xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani lidhur me këtë rast.
Elshani ka thënë se arrestimi dhe sekuestrimi i pushkën e xhaketës nuk lidhen me sulmin terrorist të shtatorit të vitit 2023.
Çka ndodhi në Banjskë më 2023?
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.
Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Të arrestuar për këtë rast janë vetëm Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq. Ata gjenden në masën e paraburgimit.
45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale janë Millan Radoiciq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.
Më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.
Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.
Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.
Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.
Hulumtimi i BIRN kishte bërë të ditur se prejardhja e disa prej armëve që u sekuestruan ishte nga Serbia.
BIRN kishte zbuluar se plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi më 2022 ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.
Çështja e Banjskë vazhdon të mbesë temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen e që diskutohet për raportet Kosovë-Serbi.
Më 25.06.2024 zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, kishte ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë.
Në një konferencë për media, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.
Po atë ditë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ishte përgjigjur Stanos, duke thënë se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqesh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar (2023).