Arrestohet një burrë për kontrabandim të mallrave

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë dje në fshatin Kabash të Vitisë, në afërsi të pikës kufitare në Zhegër, i dyshuar për kontrabandim të mallrave.

I arrestuari është recidivist i veprave të kontrabandës me mallra, sipas Policisë.

Njësitet e Task-Forcës operative të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Lindje pas pranimit të informatave nga terreni për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar ka bërë prita dhe kontrolle dhe si rezultat është parandaluar një rast i kontrabandës me mallra.

Gjatë kontrollit, në automjetin pa drita dhe pa targa të të dyshuarit, Policia ka gjetur rreth 500 kg kikirikë të papërpunuar, 15 pako me rripa të brezit, 10 pako çanta të kraharorit, 3 pako me altoparlantë –bluetooth, 1 pako me mbajtëse të telefonave në veturë, 2 pako me aroma të ndryshme (shisha) dhe mallra të tjera që dyshohet të jenë kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut.

Në njoftimin e policisë thuhet se i arrestuari është shoqëruar për intervistim në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Zhegër.