Arrestohet një burrë në Suharekë, kanosi me armë një person

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person në Suharekë i cili dyshohet për veprat “Përdorim i paautorizuar i armës”,” Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Kanosje me armë zjarri”.

Sipas njoftimit një burrë e ka denoncuar rastin në stacionin policor ku kishte raportuar se ishte kanosur me armë zjarri.

Në njoftim thuhet se viktima ka deklaruar se deri tek ky rast ka ardhur si pasojë e një marrëveshje të cilën e kishin bërë në vitin 2021,dhe sipas tij marrëveshja nuk është realizuar ashtu siç është bërë me të dyshuarin e cila sipas njoftimit ka të bëjë me disa punime në shtëpi.

Sipas Policisë, viktima ka shkuar në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit i cili ka shtënë me armë zjarri në ajër.

Tutje, Policia bën të ditur se ka kontaktuar me të dyshuarin M. M. të moshës 58 vjet i cili ka qenë bashkëpunues dhe e ka dorëzuar armën duke pranuar se e ka kanosur viktimën.

“Policia në cilësinë e provave  materiale në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe ka sekuestruar: një pistoletë, një gëzhojë, dy karikatorë dhe 40 copë fishekë”, thuhet në njoftim.

Policia raporton se i dyshuari është dërguar në stacionin policor në Suharekë ku është intervistuar dhe ka pranuar se arma e përdorur  është në pronësinë e tij me të cilën e kishte  kanosur  viktimën.

Lidhur me këtë rast  është njoftuar prokurori i shtetit dhe  urdhër të tij  ndalohet për 48 orë ndërsa rasti po hetohet nga hetuesit policorë të stacionit policor në Suharekë.