Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Arrestohet një burrë në Gjakovë, dyshohet se ia mori telefonin të dashurës së tij
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.
Sipas raportit të Policisë, rastet janë raportuar në Fushë Kosovë, Shtërpcë, Suharekë dhe Gjakovë.
Lidhur me këto raste janë arrestuar disa të dyshuar.
Në Fushë Kosovë një rast i dhunës në familje është raportuar më 31.10.2024 në ora 15:00.
Një person është arrestuar nën dyshimet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.
Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Shtërpcë një burrë është arrestuar për shkak se dyshohet se kishte shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Rasti raportohet se ka ndodhur më 30.10.2024, rreth orës 19:00.
Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Edhe në Suharekë një person është arrestuar nën dyshimet se i ka shkaktuar dhunë fizike bashkëshortes së tij.
Rasti ka ndodhur më 31.10.2024 rreth orës 22:00.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin e Policisë.
Ndërsa në Gjakovë një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka penguar dhe ia ka marrë telefonin të dashurës së tij.
Policia ka njoftuar se në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është dërguar në mbajtje.