Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestohet një 51-vjeçar, dyshohet se ndezi një zjarr dhe flakët u shpërndanë në 10 hektarë tokë

Një person është arrestuar nën dyshimin se ka ka ndezur një zjarr në pronën e tij, e zjarri më pas u përhap në masë të madhe.

Policia ka njoftuar se pasditen e sotme është raportuar se si pasojë e përhapjes së shpejtë të zjarrit, një sipërfaqe prej rreth dhjetë hektarë pyje në fshatin Dumnicë të Vushtrrisë është djegur.

Në përpjekje për të lokalizuar zjarrin në vendngjarje kanë dalë njësi relevante policore dhe ekipe të zjarrfikësve, ku pas disa orëve është arritur që të lokalizohet zjarri.

Pas veprimeve hetimore hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin i cili dyshohet se ka vetëshkaktuar ndezjen e një zjarri në pronën e tij, ku si pasojë zjarri është përhapur.

“Lidhur me veprimet e ndërmarra policore është njoftuar prokurori i rastit i cili ka urdhëruar që i dyshuari R .A., 51 vjeçar të intervistohet, ndërsa pas intervistimit të të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.