Foto: Ilustrim

Arrestohet një 34-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për sulm seksual ndaj një fëmije

Policia e Kosovës sot ka arrestuar një të dyshuar 34-vjeçar, S.G., nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një fëmijë në Prishtinë.

“Sot rreth orës 14:00, nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, është arrestuar një person i dyshuar për sulm seksual. Arrestimi i të dyshuarit; S. G, i gjinisë mashkullore, 34-vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer hetimore të cilën specialist për hetimin e krimit e kanë bërë në rastin e denoncuar me datën 25.03.2021”, ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi.

Tutje thuhet se deri tek arrestimi ka ardhur pasi ai është denoncuar polici dhe janë ngritur dyshimet se ai ka sulmuar seksualisht një fëmijë, duke i shkaktuar shqetësim me veprimet e tij.

“Ndërkohë që janë analizuar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar ngjarjen, policia ka krijuar versionin e hetimit duke identifikuar, lokalizuar vendndodhjen si dhe arrestuar të dyshuarin”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se pas arrestimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për t’u proceduar më tej pas kompletimit të veprimeve të nevojshme.