Arrestohet nga Policia e Shqipërisë shtetasi i Kosovës, ishte në kërkim për vrasje të rëndë në tentativë

Një person me inicialet A.B. është arrestuar me qëllim të ekstradimit drejt Kosovës.

57-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje të rëndë në tentativë si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve luftarake.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kishin ndaluar kosovarin i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Personi i arrestuar 57-veçari është nga Terrnava.

“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK Kosovë, për veprat penale “Vrasje e ngelur në tentativë në rrethana rënduese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.