Foto: Ilustrim

Arrestohet nën dyshimin se u merrte qytetarëve deri në 5,000 euro për t'u siguruar viza Schengen

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin se u merrte para qytetarëve për t’u siguruar viza Schengen në ambasadën e një shteti të huaj.

Në njoftimin e Policisë thuhet se Sektori i Hetimeve i Departamenti të Policisë Kufitare, pas hetimeve të gjata kundër të dyshuarit sot ka arrestuar të njëjtin nën dyshimin e kryerjes se veprës penale – kontrabandim me migrantë.

I dyshuari A.G. për sigurimin e një vize viktimave u merrte shuma të ndryshme të parave, konkretisht nga 3,000 deri në 5,000 euro, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia në shtëpinë e të dyshuari ka gjetur armë zjarri dhe të holla.

“Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë është bërë kontrolli i shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur dëshmitë si në vijim: Një (1) Revole 7.65 “Cr. Zastava”, tridhjetë e dy (32) plumba të revoles 7.65 mm, këllëf i revoles (Cr Zastava), një (1) Revole Ekol Aras Magnum, trembëdhjetë (13) plumba me gaz të revoles Ekol Aras Magnum, një (1) Iphone 11 Pro Max, mbi gjashtë mijë (6000) euro para të gatshme, si dhe dinar të Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e PK-së.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të Prokurorisë është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.