Foto: Ilustrim

Arrestohet nën dyshimin se u lidhi kontrata të rrejshme punëtorëve për të përfituar nga Pako Emergjente për COVID-19

Policia e Kosovës ka arrestuar një person, pronar i një kompanie, nën dyshimin se ka mashtruar dhe falsifikuar dokumente duke lidhur 19 kontrata pune për të përfituar kundërligjshëm për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19.

Sipas Policisë, i dyshuari kishte lidhur 19 kontrata pune, duke deklaruar në ATK se ka 19 punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një muaj, e për dy muaj (mars-prill 2020) ishte 4,940.00€.

Gjithashtu, Policia tha se i dyshuari kishte qëllim përfitimin e kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë, nga ndihmat për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit e tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku njëvjeçare, përfitojnë nga 130 euro për dy muaj pasues pas regjistrimit.

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj me autorizimin e Prokurorisë në Ferizaj pas veprimeve hetimore disamujore të ndërmarra në grumbullimin e dëshmive ka arrestuar një person me iniciale J.U. si pronar i një kompanie i cili dyshohet për kryerje të veprave penale -mashtrimi me subvencione dhe falsifikimi i dokumentit.

I dyshuari i lartcekur nuk i kishte deklaruar pagat e punëtorëve në ATK dhe nuk i kishte kryer pagesat as të tatimit të mbajtur në burim as nuk kishte paguar kontributet e pensioneve.

“I dyshuari edhe pasi parat e pakos emergjente u kishin dalë në xhirollogari të punëtorëve, u kishte bërë presion që shumën prej 100€ për muaj t’ia japin atij, ndërsa pjesën prej 30€ ta ndalin për vete. Me këtë rast pjesa më e madhe e tyre kishin pranuar, ndërsa për ata që nuk kanë pranuar këtë ofertë, i dyshuar kishte përpiluar nga një faturë fiktive, duke e nënshkruar vetë në emër të blerësit, ku disa nga këto fatura ishin në vlerë deri 260.00€, në emër kompanisë kinse kanë marr material elektrik, e të njëjtat fatura (të falsifikuara) i kishte dorëzuar të përmbaruesi privat”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari është intervistuar sot në prezencë të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare, dhe pas konsultës me prokurorin kompetent të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.