Policia e kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Arrestohet nën dyshimin se sulmoi fizikisht nënën, motrën dhe bashkëshorten

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Në Viti një burrë është arrestuar nën dyshimin se sulmuar fizikisht nënën, motrën dhe bashkëshorten e tij.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në familje. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:40.

Policia ka njoftuar se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, nëna dhe motra janë dërguar në strehimore.

Po ashtu, në Fushë Kosovë një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindërit e saj.

E njëjta sipas Policisë dyshohet të jetë përdoruese e narkotikëve. Sipas Policisë rasti ka ndodhur dje rreth orës 07:20.

“Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar” – thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa, në Mitrovicë është arrestuar një i dyshuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij.

I njëjti dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore viktimës e cila ka pranuar tretman mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në Mitrovicë.

“Në konsultim me prokurorin pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”- ka njoftuar Policia.