Foto: Ilustrim

Arrestohet nën dyshimin për dhunë në familje gazetari Arben Ahmeti

Policia e ka arrestuar gazetarin Arben Ahmetin nën dyshimin për dhunë në familje.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, më 25 shtator rreth orës 18:15 Policia ka pranuar kallëzim për dhunë në familje në fshatin Llapnasellë.

Në vendin e ngjarjes, viktima V.A. u ka thënë policëve se ka pasur konflikt me bashkëshortin.

Incidenti thuhet se ka ndodhur kur i dyshuari i ka dërguar fëmijët te viktima pasi që çifti nuk jeton së bashku.

Viktima ka thënë se i dyshuari e ka ofenduar dhe shtyrë me duar.

Për shkak të ankthit, stresit, e gjendjes së viktimës, patrulla e Policisë ka kërkuar ndihmë mjekësore për të.

Pasi kanë marrë deklaratën nga viktima, policët kanë kontaktuar të dyshuarin dhe duke qenë se edhe më parë janë raportuar raste të ngjashme, me urdhër të prokurores së shtetit për dhunë në familje, Edina Jupola, është urdhëruar fillimi i procedurës penale “dhunë në familje”, ku të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.