Arkiv - Policia e Shtetit

Arrestohet në Shqipëri i dyshuari për disa vrasje në Kosovë me armë e eksploziv

41 vjeçari D.Gj., është arrestuar gjatë ditës së sotme gjatë realizimit të një plani në bashkëpunim mes autoriteteve të rendit të Shqipërisë e Kosovës.

I dyshuari 41 vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.

I njëjti sipas njoftimit të Policisë së Shtetit dyshohet se ka kryer disa vrasje në Kosovë me armë zjarri dhe eksploziv.

“41-vjeçari i dyshuar si vrasës me pagesë për disa vrasje në Kosovë, me armë zjarri dhe eksploziv”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë edhe se, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, atë që janë të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, apo që kryejnë trafiqe të paligjshme, falë informacioneve policore dhe koordinimit të veprimeve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kalaja”.

“Në kuadër të këtij operacioni i cili u zhvillua nga Fast Albania, DVP Gjirokastër, DVP Lezhë e Shkodër, Interpol Tirana dhe Fast Kosova, u bë e mundur lokalizimi i vendndodhjes në Gjirokastër dhe më pas kapja e shtetasit shumë të kërkuar nga drejtësia e Kosovës, D. Gj., 41 vjeç, banues në Velipojë Shkodër”, thuhet tutje në njoftim.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krimet e Rënda me ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të këtij shtetasi për veprat penale “Vrasje” dhe “Armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shpërthyese”.

“Ky shtetas dyshohet si vrasës me pagesë për një sërë ngjarjesh me eksploziv e armë zjarri në Kosovë”, thuhet në njoftim.