Arrestohet në Shkodër i dënuari me 15 vjet burg

Një 51 vjeçar është arrestuar nga Policia në Shkodër, pasi që i njëjti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Shtetit ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar me qëllim të ekstradimit drejt Italisë, pasi që i njëjti nga organet e drejtësisë në Itali është dënuar me 15 vjet burg për veprat penale “trafikim i narkotikëve”, dhe “organizatë kriminale”.

Arrestimi i të dyshuarit është bërë pas një operacionit nga policia në Shkodër në bashkëpunim me Interpol Tirana.

Ladio Braci, 51 vjeçar i lindur në Ballsh dhe banues në Shkodër, sipas Policisë së Shtetit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Padovas, Itali, në vitin 2017 e ka dënuar me 15 vjet burg (nga të cilat i mbeten për të vuajtur edhe 12 vjet burg), për veprat penale “Trafik i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”.

Sipas policisë ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar lëndë narkotike nga vende të tjera drejt Italisë.