Arrestohet në Mitrovicë të Veriut politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq

Aleksandar Arsenijeviq nga partia “Demokacia Serbe” është arrestuar sot më 10. 09. 2024 nga Policia e Kosovës.

Në një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, shihet duke u arrestuar nga Mitrovicën e Veriut.

Ai bashkë me një grup të personave tjerë shihet duke fishkëlluar në sheshin e qytetit

Arrestimi i Arsenijeviqit është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga Policia e Kosovës.

“Po- është arrestuar për prishje të rendit dhe është dërguar në stacion deri sa t’i shqiptohet një tiketë për kundërvajtje- dhe lirohet”, ka deklaruar Petrit Fejza nga PK-ja.

Ndërkaq, në përshkrimin e videos të shpërndarë në profilin e Arsenijeviqit shkruan: “Aleksandar Arsenijeviq dhe Ivan Orlovic janë arrestuar dhe aktualisht ndodhen në paraburgim! Nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tyre”.

Më herët, flamuri i Kosovës dhe emërimet e tri ministrive janë vendosur në ish-objektin e komunës paralele në Mitrovicë të Veriut.

Në muret e këtij objekti janë vendosur pllakat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Më 04.09.2024 flamuri i Kosovës ishte vendosur në hapësirat e jashtme, aty ku më parë kanë qenë i vendosur flamuri i Serbisë.

Ky objekt së bashku me katër objekte të tjera palelele të cilat kanë operuar në veri, janë mbyllur nga Policia e Kosovës më 30.08.2024.