Pika kufitare Kosovë- Serbi në Jarinjë - Foto: KALLXO.com

Arrestohet në Jarinjë punëtori serb i Byrosë Kosovare të Sigurimeve

Milan Vukashinoviq, punonjës i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, thuhet se është arrestuar sot në pikën kufitare të Jarinjës.

Kështu ka bërë të ditur Rrahim Pacolli nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, i cili ka thënë se Vukashinoviq është arrestuar vetëm pse punon në një kompani kosovare.

“Arsyeja e këtij arrestimi duket të jetë, sepse z. Vukashinoviç është i punësuar në një kompani kosovare dhe një gjë të tillë strukturat shtetërore të Serbisë po e konsiderojnë si pranim të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social Facebook.

Sipas Pacollit, raste të ngjashme me punëtorët serbë të Byrosë kanë ndodhur edhe më parë.

“Andaj, duke i pasur parasysh këto raste i dënojmë ashpër veprimet kriminale të Serbisë dhe njëkohësisht kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndikojë të autoritetet e Serbisë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit të Kosovës, Milan Vukashinoviç”, thuhet në publikimin e tij.

Zyrtarë të institucionave të Kosovës, edhe më herët janë arrestuar nga policia serbe në pikat kufitare.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Rrahim Pacollit në Facebook:

Arrestohet nga Serbia, sepse punon në kompani kosovare

Në pikën kufitare të Jarinjës është arrestuar sot Milan Vukashinoviç, punonjës i Byrosë Kosovare të Sigurimit, sipas informatave që posedojmë. Arsyeja e këtij arrestimi duket të jetë, sepse z. Vukashinoviç është i punësuar në një kompani kosovare dhe, një gjë të tillë strukturat shtetërore të Serbisë po e konsiderojnë si pranim të shtetit të Kosovës. 

Tash për tash, ai është duke u marrë në pyetje nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë të ardhur nga qyteti i Kralevës. 

Raste të ngjashme me punëtorët serbë të Byrosë kanë ndodhur edhe më parë. Andaj, duke i pasur parasysh këto raste i dënojmë ashpër veprimet kriminale të Serbisë dhe njëkohësisht kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndikojë të autoritetet e Serbisë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit të Kosovës, Milan Vukashinoviç.