Arrest/Ilustrim FOTO-KALLXO.com

Arrestohet në flagrancë inspektori i Prishtinës me 12 mijë euro të dyshuara si ryshfet për një ndërtim

Një inspektor është arrestuar gjatë ditës së djeshme në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Arrestimi ndodhi pas një informacioni të një pale e cila kishte thënë se një inspektor po i kërkon para për një ndërtim në Prishtinë.

“Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve. NJHRKEK – Prishtinë pas pranimit të informatës, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim)”, ka njoftuar policia.

Gjatë ditës së djeshme, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një inspektori i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar.

“Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’”, ka thënë tutje policia.

I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë.