Forcat RENEA - Foto: Facebook/PoliciaeShtetit

Arrestohet në Fier personi që kërcënonte se do të bënte vetëvrasje

Në Fier është arrestuar një person, i cili kërcënonte se do ta vriste veten me armë zjarri.

Menjëherë pasi kishin marrë njoftimin, forcat e rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, në fshatin Zhupan të Fierit.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të autorit  ndërhyrja e shërbimeve të policisë vendore ishte me rrezik për jetën e tyre por edhe të autorit pasi kërcënonte herë pas herë se do vriste veten dhe mos të afrohej njëri në oborrin e banesës.

Menjëherë në drejtim të vendngjarjes shkuan forcat speciale RENEA dhe grupi negociator, si dhe u ngrit grupi hetimor i kryesuar nga prokurori.

Siç njofton Policia e Shtetit, ndërkohë u morën masa sigurie për banorët përreth duke vendosur perimetër sigurie dhe pas afro 5 orë negociatash  mes RENEA-s dhe 31-vjeçarit, u bë e mundur që ky shtetas të bindej për të mos kryer vetëvrajse dhe t’i dorëzohej shërbimeve të Policisë.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 31 vjeç, banues në Peshtan, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.

31-vjeçari, për motive të dobëta kishte shkuar në fshatin Zhupan, në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, dhe ka kanosur me një armë zjarri personat që ndodheshin në banesë. Më pas ka dalë në portën e oborrit të banesës dhe kërcënonte se do vriste veten me armën që dispononte.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit Kallashnikov, 2 gëzhoja dhe 25 fishekë luftarakë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.