Foto: VOA

Arrestohet ministri i Shëndetësisë i Bolivisë, dyshohet për korrupsion në blerjen e respiratorëve

Ministri bolivian i Shëndetësisë, Marcelo Navajas, i dyshuar për korrupsion gjatë blerjes nga një kompani spanjolle të 179 respiratorëve për sëmundjen COVID-19, është arrestuar, ka njoftuar shefi i Policisë boliviane.

“Ai po mbahet në lokalet e Forcës speciale të luftës kundër krimit në La Paz”, ka thënë komandanti i kësaj njësie, koloneli Ivan Rojas, një ditë pasi që presidentja e vendit, Jeanine Anez, kishte urdhëruar hapjen e një hetimi për “korrupsion të mundshëm” lidhur me këtë blerje.

Edhe dy funksionarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë janë arrestuar, raporton Le Figaro, e cila ka publikuar lajmin e AFP-së.

Blerja e 179 respiratorëve për afro 5 milionë dollarë është financuar nga Banka ndëramerikane për Zhvillim.

Bolivia ka blerë pajisje mjekësore nga një kompani spanjolle për një çmim prej 27.683 dollarësh për copë.

Por, kompania i kishte propozuar për një çmim që varionte ndërmjet 10.312 dhe 11.941 dollarësh.

Një kompani tjetër spanjolle ka shërbyer si ndërmjetësues.

Skandali shpërtheu gjatë vikendit kur mjekët u ankuan se aparatet nuk ishin të adaptuara për shërbimet e reanimimit të spitaleve boliviane. Pastaj dolën informacione për dyshime rreth fryrjes së faturave.

Në Bolivi janë regjiastruar 4.481 raste të të infektuarve me COVID-19, prej tyre 189 kanë vdekur.