Arrestohet Marko Daniq, i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Policia e Kosovës ka arrestuar Marko Daniq në Mitrovciën e Veriut.

Marko Duriqë dyshohet se ka marrë pjesë në protestën e 29 majit të 2023, ku 93 ushtarë të KFOR-it ishin lënduar.

Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani konfirmoi arrestimin e Marko Daniq, 28-vjeçar.

“Rreth orës 11:00 i kemi asistuar Krimet e Rënda të Prishtinës në arrestimin e një personi në Mitrovicë të Veriu. I dyshimtë për rastin e 29 Majit 2023 ku 93 ushtarë të KFOR-it ishin lënduar. Dhe tashmë iu ka caktu ndalimi 48 orë” – tha Elshani për KALLXO.com.

Edhe Prokuroria Speciale ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit.

“Prokuroria Speciale informon se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot në regjionin e Mitrovicës, ka arrestuar një person M.D, me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese” “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të vazhdohet me veprimet e nevojshme hetimore.

KALLXO.com kishte raportuar në kohë reale për zhvillimet në veri të vendit më 29.05.2023.

Që nga mëngjesi i 29 majit e deri kur eskaloi situata, KFOR po tentonte të arrinte një marrëveshje me Listën Serbe që dy autoblinda me zyrtarët brenda tyre të lejoheshin të niseshin për në jug.

Lista Serbe për këtë thoshte se qytetarët nuk lejojnë të ndodhë diçka e tillë, kjo pasi kërkesa e këtyre të fundit ishte që të largoheshin të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

KFOR kishte deklaruar se rreth 25 ushtarë nga kontingjenti shumëkombësh, janë plagosur gjatë ndalimit të protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.

Në drejtim të ushtarëve ishin hedhur gurë dhe koktej mollotovi.