Interpol - Foto: REL/EPA
Arrestohet kosovari në Gjermani, kërkohej nga Shqipëria përmes Interpol-it
Bashkëpunimi mes Interpolit të Shqipërisë dhe atij të Gjermanisë ka rezultuar me kapjen e shtetasit kosovar F. I., 62-vjeçar, të cilit i ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit.
Ky vendim i datës 03.02.2022 u mor për veprat penale “Kanosja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Ngacmimi seksual”.
“Shtetasi F. I. dyshohet se ka kanosur një shtetase, për dhënien e 5000 eurove, që të mos publikonte video intime të saj. Gjithashtu, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e kësaj shtetaseje” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Kapja e tij thuhet se u bë përmes informacionit të siguruar nga policia shqiptare dhe shkëmbimit të tij me homologët gjermanë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Partners”.
Interpol Tirana dhe Interpol Wiesbaden, sipas njoftimit po kryejnë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.