Arrestohet kamarieri, ia dorëzoi pazarin ditor pronarit me 400 euro të falsifikuara

Një kamarier i një kafiterie në një fshat të Novobërdës, në fund të orarit të punës ia dorëzoi pronarit pazarin ditor.

Por 400 euro dyshohet se ishin të falsifikuara. Kësisoj Policia e Kosovës e ka arrestuar kamarierin, të dyshuarin me inicialet SH.J.

Rasti ka ndodhur më 5 qershor rreth orës 23:00 kur punëtori i dorëzoi paratë pronarit të kafiterisë.

Policia përmes një komunikate ka bërë të ditur se lidhur me rastin, më 6 qershor, njësia e krimeve ekonomike në Gjilan, kanë sekuestruar përkohësisht 8 bankonota nga 50 euro, pra 400 euro dhe se me urdhër të prokurorit të shtetit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe me pastaj është arrestuar i dyshuari.

Sipas PK., i dyshuari i lartshënuar me veprimet e tij dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Falsifikim i Parasë” neni 296 paragrafi 1 , i kodit penal të Republikës së Kosovës.

Tutje njoftohet se më 6 qershor, në cilësinë e të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas autorizimit është intervistuar i dyshuari (SH.J.) dhe pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë.