Arrestohet ish- ministri Numan Baliq për ngacmim seksual
Ish- ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, është arrestuar sot nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një paciente në Spitalin e Pejës.
Sipas burimeve të KALLXO.com rasti dyshohet të këtë ndodhur dje pas orës 22.
Për KALLXO.com lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje” tha Nikçi.
Më herët Baliq ka qenë i akuzuar për ngacmim nga Prokuroria.
Ish- ministri akuzohej për ngacmin ndaj një praktikanteje të Spitalit të Pejës.
Baliq akuzohej nga Prokuroria e Pejës, se është përfshirë në përcjellje dhe vëmendje të vazhdueshme me qëllim ngacmimi dhe frikësimi ndaj të dëmtuarës S. M.
Sipas dosjes së Prokurorisë, S. M. Kishte filluar praktikën në Spitalin Regjional të Pejës, ku i akuzuari ushtron profesion e doktorit.
Me 25 korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Pejës e kishte liruar nga akuza Baliqin me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer vepër penale.
Lënda është në trajtim pranë Gjykatës së Apelit.
Apeli ende pa vendim ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë