Arrestohet i kërkuari për trafikim ndërkombëtar të drogës

43 vjeçari me inicialet G. R ishte shpallur në kërkim për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit ka njoftuar se i njëjti ishte arrestuar dhe se bën pjesë në njërin nga grupet kriminale.

Sipas njoftimit të policisë, në kuadër të planit të posaçëm të masave për garantimin e rendit e sigurisë para, gjatë dhe pas natës së ndërrimit të viteve, mbajtjen nën kontroll të situatës, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe ata në kërkim, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P Tiranë, në bazë të informacionit të marrë në rrugë operative, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, në bashkëpunim me Forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe Patrullën e Përgjithshme kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim G. R, 43 vjeç, banues në Tiranë.

Për ketë shtetas Gjykata e Shkalles se Pare për Krime te Renda më datë 18 dhjetor 2019, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për vepra penale “ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Materialet i kaluan Prokurorisë se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, Tiranë.