Ilustrim: Prangosja e një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohet i dyshuari që shtyu dy të mitur t'i vënë zjarrin një veture në Ferizaj

Policia e Kosovës e ka arrestuar një 24-vjeçar nën dyshimin se ka shtyrë dy të mitur për ta djegur një veturë më 24.10.2024 rreth orës 03:25 në Ferizaj.

Sipas policisë, a arrestuari ishte në kërkim policor për cytje në këmbim të parave të zjarrvënies së veturës.

E.M., është arrestuar më 31.10.2024 rreth orës 04:45 në pikën kufitare me Malin e Zi.

Më 24.10.2024 rreth orës 03:25, policia ishte njoftuar për djegien një veturës dhe pas hetimeve rezultoi se dyshohet se dy persona të maskuar ishin autor të zjarrvënies së veturës dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Sipas Policisë, dëmet e shkaktuara në veturë ishin rreth 20 mijë euro.

Pas një pune intensive hetimore, policia thotë se arriti t’i identifikojnë dhe të arrestojë dy të dyshuarit, M.B., 16 vjeçar dhe A.Z., 17 vjeçar, të cilët u kapën më 25.10.2024, rreth orës 15:40 dhe u dërguan në mbajtje.

“Kurse në kërkim policor ishte edhe një person tjetër, i dyshuar për cytje në këmbim të parave të zjarrvënies së veturës, i cili  me datën 31.10.2024 rreth orës 04:45 është ndaluar në pikën kufitare me Malin e Zi. I dyshuari E.M ( M/K) i moshës 24 vjeçar është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj. i cili është intervistuar ne prezencë edhe të avokatit mbrojtës nën dyshimin se ka shtyrë nën këmbim të një shume të caktuar të parave dy të miturit të kryejnë zjarrvënie të veturës në Ferizaj”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka thënë se i dyshuari E.M., me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.