(Arkiv) Policë të Kosovës në veri të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Arrestohet i dyshuari për sulm ndaj Policisë dhe djegie të veturave në Zubin Potok

Policia e Kosovës sot rreth orës 17:00 ka arrestuar një person të dyshuar në Mitrovicë të veriut.

Sipas Policisë i njëjti dyshohet për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

I njëjti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.

Policia ka njoftuar se kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Sipas Poicisë, ndaj të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Disa raste të djegies së veturave janë raportuar ditëve të fundit së kanë ndodhur në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tre vetura janë djegur mëngjesin e së shtunës në Leposaviq, në dy raste të ndara.

Sipas Policisë, në rastin e parë rreth orës 03:40 të mëngjesit, në afërsi të qerdhes së fëmijëve në Leposaviq i është vënë zjarri një vetura me targa të Kosovës. Më pas është përfshirë nga zjarri edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit, që ishte aty afër.

Rasti tjetër ka ndodhur në afërsi të qendrës sportive po ashtu në Leposaviq, ku është djegur një veturë me targa të Kosovës.

Policia jep detaje për djegien e veturave në veri