Foto: Ilustrim

Arrestohet i dyshuari për sulm ndaj drejtorit të inspeksionit në Pejë

Policia në Rajonin e Pejës ka njoftuar se ka arrestuar në pikën kufitare në Vërmicë një person të dyshuari për sulmin ndaj drejtorit të Inspeksionit, Leotrim Murtezaj.

I dyshuari A.Q, ishte në kërkim nga ana e policisë për dy veprat penale, për lëndim trupore dhe dëmtim të pronës.

Sipas policisë, i dyshuari së bashku me një të dyshuar tjetër, identiteti i të cilit është i njohur për policinë dhe është në kërkim për arrestim, para tri ditëve në një lokal në rr. ‘Aleksandër Moisiu’ në Pejë, kanë sulmuar tre persona të cilëve ju kanë shkaktuar lëndime trupore.

KALLXO.com ka raportuar se njëri viktimat e këtij rasti është drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Pejë, Leotrim Murtezaj.

“Hetuesit policor janë duke punuar lidhur me rastin, për të sqaruar të gjitha rrethanat e sulmit ndaj viktimave zyrtar të komunës së Pejës, dhe kapjen e të dyshuarit tjetër, të cilët që nga momenti i kryerjes së veprës ishin ikur nga vendi i incidentit dhe gjendeshin në arrati”, njofton policia.

Tutje policia ka bërë të ditur se si pasojë e incidentit viktimës së katërt, i janë shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale në lokal ku ka ndodhur rasti.

“Të gjitha veprimet hetimore janë duke u koordinuar edhe me prokurorin e shtetit. Ndaj të dyshuarit shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore”, njofton policia.

KALLXO.com ka raportuar të shtunën në lidhje me sulmin ndaj drejtorit të Inspeksionit në Pejë.

Detajet e Prokurorisë në Pejë për sulmin ndaj drejtorit të Inspeksionit

KALLXO.com ka publikuar edhe reagimin e të dyshuarit, Ardian Qela, i cili është arrestuar nga policia, dhe i cili për KALLXO.com ka thënë se mesnatën e së premtës, ai bashkë me disa shokë të tij kishte dalë në një kafeteri të Pejës në të cilën ishte prezent edhe drejtori i Inspeksionit Leotrim Murtezaj bashkë me disa perona të tjerë.

Qela ka treguar se janë përshëndetur me Leotrim Murtezajn dhe me një shok të tij, i cili sipas Qelajt është inspektor në Drejtorinë e Inspeksionit.

Sipas Qelajt situata ka eskaluar pasi shoqëruesi i drejtorit të Inspeksionit Leotrim Murtezajt i ka thënë atij se a po më njeh mua.

“Shoqëruesi i drejtorit Leotrim Murtezaj më është afruar te tavolina dhe me ka thënë se apo më njeh, kurse unë ia kam kthye se jo. Ai më tha se ke me më njoftë. Pas pak shoqëruesi i Leotrimit e sulmoi një shok timin me të cilin ishim bashkë dhe aty ka filluar gjithçka”, ka treguar Qela për KALLXO.com.

Sipas tij, ai nuk ka pasur dhe as nuk ka probleme me drejtorin e Inspeksionit Leotrim Murtezajn.

“Shoqëruesi i Leotrimit e ka sulmu i pari një shok timin dhe aty filloi gjithçka. Por lokali ku kemi qenë ka kamera të sigurisë dhe besoj se filmimet do të tregojnë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Filmimet do të tregojnë se unë nuk e kam sulmuar askë”, ka thënë Qela.

“Unë nuk jam dorëzuar në polici ende, por këtë do të bëjë të hënën. Në polici do të shkoj bashkë me filmimet e kamerave. Dhe nuk i jam dorëzuar policisë sepse nuk po kam besim. E kur t`i siguroj filmimet do të dorëzohem, sepse aty do të dalë e vërteta në shesh”, ka thënë Qela për KALLXO.com.

Qela ka thënë se ka muaj që lokalit të tij Komuna e Pejës nuk po i jep liçencë për të shitur alkool në lokalin e tij “Arthur-s”.  Sipas tij lokalet përreth shesin alkool me apo pa liçencë të Komunës, kurse atij nuk po ia japin licencën.

“Unë disa herë kam apliku për liçencë, por nuk po ma japin. E kam takuar para një jave në rrugë drejtorin, Leotrim Murtezajn dhe ia kam shprehur shqetësimet e mia që nuk po ma japin liçencën. Kemi bisedu dhe jemi ndarë si miq”, ka thënë Qela.

Ia rrahën drejtorin e Inspeksionit, reagon Gazmend Muahxheri

.