Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohet i dyshuari për rastin e grabitjes në Fushë Kosovë në nëntor të vitit të kaluar

Policia në rajonin e Prishtinës ka njoftuar se ka kryer një operacion të gjerë i cili ka rezultuar me arrestimi e një person të dyshuar për grabitje në Fushë Kosovë.

Zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për KALLXO.com se grabitja ka ndodhur me 26 nëntor në rrugën “Nëna Terezë”, në Fushë Kosovë.

“Nga personeli i një subjekti afarist, ishte grabitur një vlerë e konsiderueshme parash, përderisa po i transportonin ato për t’i deponuar në bankë. Operacioni i bastisjes është kryer sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Shtedim të Podujevës me ç’rast policia ka arritur të arrestoj të dyshuarin A. H, 31 vjeçar”, ka thënë Borovci.

Sipas Borovcit në lidhje me rastin policia ka sekuestruar një automjet ‘Pick-Up’, i cili bazuar në rezultatet e hetimit të deritanishëm, dyshohet të jetë automjeti i shfrytëzuar për ikje.

“Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga Prokurori i Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar më tej”, ka thënë Borovci për KALLXO.com.

KALLXO.com merr vesh se rasti ka të bëjë me paratë të cilat janë vjedhur nga punëtorja e marketit ETC.