Arrestohet i dyshuari për fajde, Policia gjatë kontrollit në shtëpi i gjen 10 mijë euro para të gatshme

10 mijë euro para të gatshme i janë gjetur një personi të dyshuar për fajde, i cili është arrestuar sot, më 12.12.2024, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim edhe me Sektorin Rajonal të Hetimeve, Gjakovë të Policisë së Kosovës.

Policia tha se fillimisht kishin pranuar informacione se një person i dyshuar ka kryer veprën penale – fajde ndaj viktimës. E, më pas ka zbatuar masa të veçanta hetimore, me ç’rast i dyshuari është arrestuar në flagrancë – duke marrë pagesat e kamatës nga viktima.

Lidhur me rastin në fjalë, Policia tha se me urdhëresë të gjykatës është zhvilluar urdhër kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij – përpos 10 mijë eurove – janë gjetur e sekuestruar edhe një telefon, një veturë me targa vendore; si dhe, fletore e dëshmi të tjera relevante për rastin.

Policia tha se me urdhër të prokurorit, personi i dyshuar pas intervistimit dërgohet në mbajtje për 48 orë.