Lajmi i Fundit Policia

Arrestohet i dyshuari për fajde, i kërkoi ankuesit 38 mijë euro për 3 mijë e 500 euro

Njësiti i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë në Gjakovë ka arrestuar sot një person nën dyshimin se po merrej me fajde.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari V.M. dyshohet se në vitin 2016 i ka ofruar një shumë prej 3.500 (tre mijë e pesëqind) euro me fajde një qytetari.

Ankuesi ka deklaruar se ka paguar shumën prej 4.200 (katër mijë e dyqind) euro, por nuk ka arritur ta paguajë shumën tjetër.

I dyshuari, së fundmi  ka rritur kërkesën duke kërkuar 38.000 mijë (tridhjetë e tetë mijë) euro nga ankuesi.

Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Gjakovë, më 23 shtator 2019 ka siguruar urdhëresën nga Gjykata e Gjakovës për zbatim të masave të fshehta të hetimit me qëllim të grumbullimit të fakteve lidhur me këtë rast.

Dhe sot i dyshuari është arrestuar në flagrancë pak pasi ka pranuar shumën prej 4.000 (katër mijë) euro nga ankuesi.

“I dyshuari është kontrolluar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe tek i njëjti janë gjetur 4.000 euro që janë përdorur për simulim të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për rezultatin e hetimeve është njoftuar prokurori i Prokurorisë së Gjakovës, me aktvendim të të cilit të dyshuarit pas intervistimit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.