Arrestohet i dyshuari në Vermicë, brenda automjetit iu gjetën 15 pako me fishekë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar në pikë kalimin kufitar në Vermicë.

Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarit është bërë mbrëmë pas mesnate, kur i dyshuari ka ardhur me një automjet me targa të Kosovës nga Shqipëria në drejtim të Kosovë.

“Automjeti të cilin e drejtonte i dyshuari M. B., pas regjistrimit në sistem nga zyrtarët kufitarë, automjeti është selektuar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë. Gjatë ushtrimit të kontrollit nga zyrtarët policorë dhe personeli doganorë, në ulësen e pasme të automjetit janë gjetur 15 pako me fishekë”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar sipas procedurave është shoqëruar në stacionin policor, ku pas intervistimit me vendimit të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa municioni është konfiskuar në cilësi të provave materiale.