Foto: Ilustrim

Arrestohet i dyshuari në Prizren pasi vodhi parat e destinuara për "Jetimat e Ballkanit"

Policia në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka ndodhur një vjedhje në postën e cila ndodhet në rrugën “Jusuf Gërvalla”, në Prizren.

Sipas policisë, një qytetare e cila është punëtore në postë, ka informuar policinë se një person i dyshuar e ka vjedhur një kuti me para të cilat ishin të destinuara për aktivitete humanitare për shoqatën bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”.

“Në lidhje më këtë rast një qytetarë në cilësinë e dëshmitarit, duke e parë këtë dukuri, duke vepruar më përgjegjësi qytetare, ka ndaluar të dyshuarin dhe ka informuar policinë mbi identitetin dhe vendndodhjen e të dyshuarit. Policia e kishte më të lehtë arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur se së bashku me dëshmitarin, i dyshuari është dërguar në stacionin e policisë, dhe gjatë kontrollimit i janë gjetur 222 euro të vjedhura nga arka humanitare.

“Policia ka sekuestruar paratë në cilësi të provave materiale, ndërsa i dyshuari K.P., 30 vjeçar, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa në lidhje me rastin është informuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili lëshoj aktvendim për ndalimin e të dyshuarit. Rasti po vazhdon të hetohet”, njofton policia.

Policia ka falënderuar qytetarin i cili mori guximin të identifikoj dhe ta paraqes para policisë të dyshuarin e rastit të vjedhjes së parave të destinuara për aktivitet humanitarë.