Arrestohet i dyshuari kryesor për vrasjen e presidentit të Haitit

Policia në Haiti tha se ka arrestuar një mjek, që beson se është “i dyshuari kryesor” në organizimin e vrasjes së presidentit haitian, Jovenel Moise.

Policia tha se Christian Emmanuel Sanon, 63 vjeç, shtetas i Haitit, ka shkuar atje me avion privat në fillim të qershorit, për “motive politike”.

Shefi i policisë, Leon Charles, tha se plani fillestar ka qenë të arrestohet presidenti, por “misioni pastaj ka ndryshuar”, raporton REL.

Charles nuk dha më shumë hollësi.

Presidenti Moise, 53 vjeç, është vrarë në rezidencën e tij më 7 korrik.

Policia ka fajësuar më herët 28 mercenarë të huaj.

Gruaja e presidentit, Martine Moise, është plagosur në sulm dhe pastaj është dërguar për trajtim në SHBA.

Ajo ka thënë se sulmi ka ndodhur aq shpejt, saqë burri i saj nuk ka qenë në gjendje të thotë “asnjë fjalë të vetme”.

https://www.evropaelire.org/a/presidenti-moise-u-vra-ne-rezidencen-e-tij/31352734.html

Një delegacion i zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe drejtësisë amerikane ka arritur të dielën në Haiti për të vlerësuar situatën e sigurisë.

Moise ka qenë president i Haitit – vendit më të varfër në dy Amerikat – qysh në vitin 2017.

Ai është përballur me akuza për korrupsion dhe është sfiduar nga disa protesta anti-qeveritare./REL