Arrestohet i dyshuari duke transportuar emigrant

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka goditur një rast tjetër të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit.

Në njoftim thuhet se Shërbimet e Komisariatit të Policisë në Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Policinë Kufitare, në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë arrestuar të dyshuarin F. F., 35 vjeçar nga fshati Bitinckë, në Devoll.

“Shtetasi i mësipërm, u kap nga shërbimet e Policisë në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, gjashtë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 200 euro për secilin, i’u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Materialet rreth këtij rasti i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.