Foto: KALLXO.com Ilustrim

Arrestohet grupi prej katër personave të dyshuar, vidhnin para dhe stoli ari

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një grup prej katër vetash për vjedhje të rënda. Ky grup, dyshohet se në dhjetor të 2021, në Gjakovë, ka vjedhur para dhe stoli ari në rreth 50 mijë franga zvicerane.

Sipas Policisë, edhe tre persona të tjerë që dyshohet se janë pjesë e këtij grupi janë në kërkim policor.

Policia njofton se sot ka arritur të arrestojnë katër persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer vepër penale të vjedhjes.

“Gjatë punës operative rezulton se personat e dyshuar janë një grup i strukturuar, me të kaluar kriminale ku deri më tani në bazë të dhënave dhe provave këta persona janë të involvuar si kryes të veprave penale në më shumë se tridhjetë e pesë raste e që dyshohet se të njëjtit kanë kryer vepra të tilla edhe në shtetet fqinje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Personat e arrestuar: R . G. (970); F . J. (1958), M . N. (1960), A . M. (1974), dyshohet se  vjedhje i kanë kryer nëpër tregje e spitale dhe cak i tyre, kryesisht ishin kategoritë e personave të ndjeshëm.

Sipas provave që disponojnë hetuesit e Policisë, dyshohet se personat e arrestuar janë të përfshirë në një numër të madh të veprave penale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personat e dyshuar po mbahen në ndalim policor për 48 orë.