Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)
Arrestohet elektricisti që vidhte kabllot elektrike dhe linte banorët pa drita
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacioni policor të koduar “Elektricisti”, duke arrestuar autorin e dyshuar për vjedhjen e kabllove elektrike në shtatë zona të ndryshme dhe duke lënë banorët pa drita.
Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, nisur nga kallëzimet dhe ankesat e qytetarëve dhe të OSHEE-së se për vjedhje të kabllove elektrike në disa lagje, kanë organizuar punën duke ngritur shërbime (grackë) në afërsi të bokseve kolektive të matësve elektrikë.
Si rezultat i shërbimeve dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: J.D.,29 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
Ky shtetas duke pasur njohuri të posaçme si elektricist gjatë një jave ka vjedhur kabllo elektrike të furnizimit me energji elektrike në bokset kolektive të matësve elektrikë në disa lagje të qytetit të Durrësit duke i lënë banorët pa energji elektrike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet që përdorte për të kryer vjedhjet si dhe një sasi tel bakri.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprat penale “Vjedhja”, më shumë se një herë dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.