Foto: Ilustrim

Arrestohet edhe një polic, keqtrajtoi një person në Lipjan

Një zyrtar policor është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) gjatë ditës së sotme.

Inspektorati, ka njoftuar se pesë ditë më parë kishte pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Lipjan.

Hetuesit e IPK-së, pas pranimit të ankesës nga qytetari si dhe shkresat e rastit, kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore.

Mw pas, në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor të Lipjanit) që ishte i përfshirë në këtë incident.

Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Nga IPK thonë se pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.