Arrestohet edhe një person për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten është arrestuar edhe një person i dyshuar për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit që ndodhi më 26 nëntor të vitit të kaluar.

“Lidhur me rastin, me 04.02.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull  kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të forcave të rendit.

Ky është personi i katërt që është arrestuar për rastin tragjik ku mbetën të vdekur tre persona. Njërit nga të dyshuarit masa e paraburgimit më 10 janar iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Tre persona janë vrarë dhe një ka mbetur i plagosur në sulmin me Kallashnikov ndaj një autobusi që po transportonte nxënës dhe po kthehej nga Gjakova.

Të vrarët janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Pas lajmit për këtë vrasje të trefishtë në Gllogjan kanë shkuar krerët e institucioneve më të larta të drejtësisë, Policisë por edhe të institucioneve qeveritare.

Pas hetimeve të gjata, Prokuroria e Pejës ka njoftuar për arrestimin e tre të dyshuarve.

Të ndaluarit për këtë rast janë familjarë ndërmjet vete (babai dhe dy djemtë). Sipas Prokurorisë ata dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Vrasja e dy nxënësve që po ktheheshin në shtëpi dhe e shoferit të autobusit kishte tronditur opinionin jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.