Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica
Arrestohet edhe një person në rastin "Brezovica", dyshohet se ndërmjetësoi marrjen e ryshfetit
Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se është arrestuar edhe një person tjetër në rastin e njohur si “Brezovica”.
R.M dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me Z.G dhe A.X, për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marrë rreth 70 mijë euro nga investitorët në vikend-zonën e Brezovicës.
I dyshuarii është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, si dhe ‘Ushtrimi i ndikimit’.
Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari R.M., gjatë zbatimit të urdhërkontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve në aksionin “Brezovica” më 26 maj, nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në fund të njoftimit të Prokurorisë së Shtetit.
Në aksionin e 26 majit, janë arrestuar ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe tre personat e tjerë me inicialet I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rastin ‘Brezovica’, ku dyshohet se janë përfshirë një numër i konsiderueshëm i personave, në ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Artikujt mund t’i gjeni KËTU.