Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Arrestohet edhe një ish-pronar i një kazinoje në Karaçevë

Ish-pronari i kazinos “Admiral” në fshatin Karaçevë është arrestuar nën dyshimin për organizim të skemave piramidale.

I dyshuari V. B., ka qenë në kërkim nga autoritetet kosovare që nga koha kur ishte zhvilluar aksioni në fshatin Karaçevë në shtator të vitit të kaluar.

Prokuroria Themelore në Gjilan gjatë ditës së sotme ka njoftuar se V. B., po dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

I pandehuri V. B., dyshohet se gjatë vitit 2020, në mënyrë ilegale ka zhvilluar veprimtarinë e lojërave të fatit në kazinon e quajtur ‘’Admiral’’, në fshatin Karaçevë që gjendet në Komunën e Kamenicës.

I njëjti me vendim të prokurores së rastit gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e sigurisë nga Gjykata kompetente në Gjilan.

Kujtojmë se dy ditë më parë, V. B., nuk ishte gjetur në shtëpinë e tij kur policia shkuan ta arrestojnë për veprën të cilën dyshohet se ka kryer.

I njëjti po kërkohej që nga shtatori i vitit të kaluar pasi njëra nga kazinot ilegale që u rrënua në fshatin Karaçevë ishte e tij.