Foto: Pixabay

Arrestohet edhe një britanike e dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit në Shëngjin

Këtë të shtunë janë arrestuar 4 nga 6 personat e shpallur në kërkim si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt në Shëngjin.

Vrasja e biznesmenit ndodhi më 19 prill në biznesin e tij në Shëngjin, përderisa përpos Policisë së Shtetit të angazhuar për zbardhjen e krimit janë edhe Policia britanike.

Këta të fundit, fillimisht kapën Edmond Haxhian, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan, tre nga gjashtë personat e dyshuar.

Ndërsa, tashmë është konfirmuar dhe arrestimi i Harriet Bridgeman, britanikja që dyshohet se është e përfshirë në rast e që roli i saj në grup ishte ai i vëzhgueses, raporton Euronews Albania.

Në pamjet e kamerave të sigurisë është vënë re, vajza e cila ka qëndruar në një hotel në Shëngjin.

Ndërkaq, Edmond Haxhia me shtetësi shqiptare dhe britanike, është djali i dajës së Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët 7-vite më parë akuzonin Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e dy familjarëve të tyre.

Të vetmit që nuk janë vënë ende në pranga janë Harry Simson, shtetas britanik dhe portugezi i cili dyshohet se ka ekzekutuar planin e vrasjes, Ruben Saraiva.

Gjatë ditës, Policia e Shtetit në një njoftim për media tregoi për arrestimin e tre anëtarëve të grupit të dyshuar.

Policia e Shtetit tha se e gjitha ndodhi falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike.

“Pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Tutje në njoftim u tha se në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit, Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike arriti të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka thënë se po vijon intensivisht  punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.