Arrestohet doganieri dhe një person i dyshuar për dhënie të mitës dhe kontrabandim

Mbrëmjen e 18 majit njësitë e Doganës kanë gjetur sasi të barnave në një veturë në afërsi të pikës kufitare dhe në bazë të dyshimit të arsyeshëm është arrestuar personi dhe zyrtari doganor.

Në orët e mbrëmjes, zyrtarët doganorë pas dyshimeve kanë ndaluar një veturë të dyshimtë për kontrabandë të mundshme të barnave.

Pas ndalimit të automjetit është gjetur sasi e konsiderueshme e barnave në pjesën e bagazhit.

Zyrtarët doganorë hetues kanë arritur të mësojnë se personi në fjalë posedon edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësor në Prishtinë.

Duke vepruar mbi këto indikacione dhe në bashkëpunim dhe udhëheqje të Prokurorisë së Ferizajt, zyrtarët doganorë kanë hyrë në këtë depo, ku kanë gjetur stok të konsiderueshëm të barnave ilegale në sasi prej 17,923 pako, 359 lloje të barnave.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka treguar për “Kallxo Përnime” se nga marsi i këtij viti kanë përdorur masat e fshehta të hetimit e vëzhgimit dhe kjo ka bërë që zyrtari doganor dhe i dyshuari për kontrabandë të prangosen.

“Diku në fillim të muajit mars nga hetuesit doganorë kemi marrë informacione se është duke u kryer vepra penale  keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe kontrabandim me mallra respektivisht me barna dhe pasi kemi siguruar dëshmitë kemi arritur të sigurojmë dyshimin e bazuar se kemi të bëjmë me kontrabandë dhe keqpërdorim të detyrës nga ana e një zyrtari doganor dhe kemi pasur njohuri se ekziston edhe një depo në Prishtinë dhe kemi arritur t’i arrestojmë të dyshuarit”, tha ai.