Ilustrim

Arrestohet dhe suspendohet polici i dyshuar për shantazh, kanosje e ngacmim

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar një zyrtar policor të dyshuar për tre vepra penale.

Sipas njoftimit, polici është nga stacioni policor në Pejë, i dyshuar se ka kryer veprat penale -shantazh, kanosje dhe ngacmim.

Informacionet e para lidhur me këtë rast nga IPK-ja janë  pranuar përmes një ankese të adresuar te Inspektorati Policor rreth një javë më herët.

Bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit  kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë sekuestrimin e përkohshëm të një telefoni mobil në cilësi të provës materiale si dhe intervistimin e të dyshuarit.

Zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprat penale “shantazh”, “kanosje” dhe “ngacmim”.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.