Arrestohet burri i armatosur që tentoi të grabiste marketin në Gjilan - FOTO

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një burrë me inicialet S.I. në Gjilan, përderisa ai ka tentuar të grabisë një market, duke kërcënuar punëtorët me armë.

Ai dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe më parë në një grabitje tjetër.

Arma e sekuestruar, Foto: Policia e Kosovës

“I njëjti nën kërcënim të armës fillimisht kishte arritur që nga arka e shitjes punëtorit të marketit të ja grabiste një sasi të konsiderueshme të hollash, por punëtorët tjerë prezent kanë ndërhy dhe kanë arrit që ta ndalin të dyshuarin, gjersa shumë shpejtë njësitet të shumta patrulluese policore kanë arrit në vende të ngjarjes dhe e kanë arrestuar të dyshuarin” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Revolja e modelit “Browing Belgium” dhe 4 fishekë janë konfiskuar në vendin e ngjarjes.

Gjatë hetimeve, janë gjetur prova të qëndrueshme se ky i dyshuar, besohet se është i përfshirë edhe grabitje tjetër, që ka ndodhur më 16 nëntor në një pikë karburanti në rrethinën e Gjilanit.

I dyshuari, që është rreth të 40-ve është intervistuar dhe ndaluar për 48 orë për “Grabitje” dhe “Grabitje në tentativë”, ndërsa hetimet vazhdojnë.