Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Arrestohet Biznesmeni për Vjedhje Tatimore

Amir Azemi, pronar i kompanisë “Roni- Com” është arrestuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës kishte njoftuar se aksioni i zhvilluar në Ferizaj kishte të bënte me shmangie tatimore.

“Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot është duke zhvilluar një aksion me ç ‘rast ka bërë bastisjen e  një lokacion në qytetin e Ferizajt. Rasti në fjalë dyshohet për evazion fiskal-konkretisht për transaksione fiktive”, thuhet në komunikatën e shkurtër të ATK-së.

Ndaljen e afaristit Azemi nga Policia e Kosovës e ka konfirmuar avokati i tij, Haxhi Millaku.

Ai ka thënë se Azemi ishte arrestuar në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës dhe ATK-ja.

Millaku tha se familja e klientit të tij dhe ai si avokat nuk kishin pranuar asnjë informacion për arsyen e arrestimit të Azemit dhe as për vendndodhjen e tij.

“Prej orës 8 të mëngjesit kur e kanë marrë njësia speciale me këta të ATK-së e kanë fshehur njeriun dhe as nuk e dishin familja se ku është, e unë kërkova nëpër prokurori e tek krimet e renda dhe askush nuk kishte informacione se ku e kanë dërgu. Kushtimisht, Azemi ka qenë i kidnapuar pa kurrfarë informate”, tha Millaku.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një vepër që tashmë është parashkruar, sepse ka qenë para vitit 2008. Kompania “Roni-Com” ka qenë pjesë e dosjes së madhe për vjedhjen e organizuar tatimore që ishte transmetuar në emisionin Jeta në Kosovë.

ATK-ja në komunikatën e saj nuk e ka treguar emrin e të arrestuarit dhe as emrin e biznesit.

“ATK-ja ka njoftuar se Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka qenë duke zhvilluar hetime për dyshimin e shmangies tatimore ndaj një personi, i cili është pronar i një subjekti tatimor dhe i cili dyshohet për lëshimin e faturave me transaksione fiktive, si dhe ndërmjetësime mes subjekteve”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Kompania “Roni-Com” me pronar Amir Azemin dyshohen për transaksione fiktive.

“Nga aksioni i bastisjes i realizuar sot, nën dyshimin se kemi të bëjmë me transaksione fiktive, ku përmes këtyre transaksioneve janë bërë shmangie nga tatimi, apo iu ka mundësuar të tjerëve të bëjnë shmangie nga tatimi”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Gjatë bastisjes, ATK-ja thotë se kanë gjetur edhe mjetet e identifikimit të personave të tjerë.

“Në cilësinë e provave janë sekuestruar këto dokumente dhe pajisje: 3 llaptopë, 1 telefon, 7 kartela bankare, vula e subjektit, 1 kopje e letërnjoftimit të një personi tjetër, 1 gjendje e përgjithshme e ATK-së për një subjekt tjetër, 1 kopje e gjendjes së bankës për një person tjetër, marrëveshje, fatura, si dhe dokumentacione tjera financiare. Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë, bazuar nga provat e siguruara”, thuhet më komunikatën e ATK-së.