FOTO- Avni Mazrreku/Facebook

Arrestohet Avni Mazrreku, dyshohet se kanosi një person

Ish-drejtori i kolegjit “ISPE”, Avni Mazrreku është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com, ai u arrestua pasi dyshohet se ka kanosur një person përmes mesazheve gjatë ditës së djeshme.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Më, 17.04.2020 rreth orës 23:45, policia është njoftuar  nga një ankues për një kanosje ndaj tij nga një i dyshuar përmes mesazheve telefonike.  Më 18.04.202 i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar i njëjti ndalohet dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes”, ka thënë Krasniqi.

Arrestimin e Mazrrekut e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Tomë Gashi për KALLXO.com.

“Rreth orës 14:00 sot është ndalur dhe i është caktuar masa e ndalimit policor, e cila gjithmonë është me afat prej 48 orësh por nuk do të thotë që zgjat ashtu dhe ka të bëjë me dyshimin për veprën penale të kanosjes”, tha Gashi.

Gashi tha se nuk ka informacione se kush është viktima potenciale e kanosjes në këtë rast.

“Mirëpo personi që mund të jetë eventualisht viktima e kanosjes nuk ka mundur të marr shënime se kush është ai për shkak se hetuesia e policisë punën e kanë kryer në ora 16:00. Është e vërtëtë që është marrë nga policia, pritet që ose t’i ndërprehet masa e ndalimit ose nesër të dërgohet në Gjykatë”, shtoi ai për KALLXO.com