Foto: TV Llapi
Arrestohet asamblisti i LDK-së në Podujevë, u raportua nga kryetari Bulliqi se tentoi ta sulmonte fizikisht
Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Ekrem Rrahmani, është arrestuar të enjten, më 12.09.2024, nën dyshimin se ka sulmuar kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje” – thuhet në raport policor të datës 13.09.2024.
Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bulliqi ka paraqitur rastin në polici si tentim për sulm fizik.
Sipas pamjeve të publikuara nga media lokale TV Llapi, krejt kësaj i kanë paraprirë disa ofendime mes Rrahmanit e Bulliqit në mbledhjen e Kuvendit Komunal. Kjo bëri që kryesuesi i Kuvendit Komunal të Podujevës, Hilmi Hoxha, të ndërprejë seancën. E pas kësaj, Rrahmani shihet se i afrohet Bulliqit, por largohet pasi që kolegët e tjerë asamblistë afrohen. Në pamje nuk dëgjohet se çfarë është thënë.
Krejt kjo ngjarje filloi kur Rrahmani e quajti Bulliqin “tradhëtar”, e më pas Bulliqi iu kundërpërgjigj me “pis”.
“Jemi mësu me kësi tradhtar. Se ti ke pi, mas pari je tradhëtar ti, tani ky ren ashtu” – ka thënë Rrahmani.
“Ti krejt kohën ke hangër në grazhd të Hashim Thaqit, kurrë tradhëtar s’të kam thanë deri sot. Edhe tash je hala t’u hangër” – i është përgjigjur Bulliqi.
Pas pak minutave diskutim të tillë dhe përderisa Rrahmani vazhdonte ta quante “tradhëtar” Bulliqin, ky i fundit kërkon nga kryesuesi i Kuvendit që të ndalen ofendimet, përderisa vetë e quan asamblistin Rrahmani “pis”.
“Të lutem respektoje rregulloren e punës, mos të ofendon ky pis” – i drejtohet Bulliqi kryesuesit Hoxha
“Kujt po i thu ti pis, more legen?” – vazhdon Rrahmani.
Lidhur me këtë arrestim, dega e LDK-së në Podujevë ka paralajmëruar konferencë për media në orën më 13.09.2024, në ora 16:00.
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, më 12.09.2024 ka reaguar duke thënë se Rrahmani ka tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Në reagimin e LDK-së, thuhet se “pamjet flasin qartë se asamblisti Rrahmani në asnjë moment nuk e ka prekur fizikisht Bulliqin”.