Foto: Ilustrim

Arrestohet anëtari i Kryesisë së OVL të UÇK-së, dyshohet se kanosi zyrtarin policor në një kafene

Anëtari i Kryesisë së OVL- UÇK-së, Faik Fazliu, është arrestuar gjatë natës nga Policia për kanosje ndaj zyrtarëve policorë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 në një kafeteri në rrugën e tranzitit në Prizren.

Siç mëson KALLXO.com, fillimisht inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të asistuar nga Policia kishin shkuar në atë kafeteri për të inspektuar respektimin e masave kundër COVID- 19.

Fazliu dyshohet se gjatë inspektimit ka kërcënuar njërin nga zyrtarët policor, ndërsa ky i fundit e ka lajmëruar dhe më pas është shoqëruar për në stacion policor.

Në lidhje me veprimet policore, KALLXO.com ka marrë një përgjigje edhe nga Policia e Rajonit të Prizrenit.

“I dyshuari është intervistuar nga hetuesi kujdestar dhe me aktvendim të Prokurorit iniciohet rasti “kanosje ndaj personit zyrtar” dhe i dyshuari ndalet në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj.