Nol Nushi Foto: Facebook

Arrestohet aktivisti i PSD-së Nol Nushi

Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur se sot rreth orës 16:00 është arrestuar e më pas liruar aktivisti i kësaj partie, Nol Nushi.

Sipas njoftimit të PSD-së, policia nuk ka  paraqitur asnjë urdhër arrest duke shkelur kështu rregullat dhe ligjin në fuqi.

“Rreth orës 16:00, Nol Nushi është ndalur në semafor, teksa ishte në veturë. Policia nuk ka prezantuar asnjë urdhër arrest, duke shkelur rregullat dhe ligjin në fuqi. Ata kanë arrestuar Nolin pa asnjë mbulesë legjitime, legale dhe e kanë dërguar në stacionin policor- jug”- thuhet në njoftim.

Tutje, PSD potencon se kjo mënyrë e arrestimit i hap rrugë arbitraritetit.

“Kjo mënyrë e arrestimit pa prezantimin e flet arrestit i çel rrugë arbitraritetit. Reagimi ynë duhet të jetë i orientuar drejt kësaj mënyre funksionimi që lë vend për keqpërdorim nga pushteti, i forcave policore, në momente kur i duhet. Nëse i nënshtrohemi arbitrariteti sot, nesër përndjekja politike do të përligjet me veprime të tilla”- thuhet më tej në njoftimin e PSD-së.

PSD më tej thekson se Nol Nushi është liruar por, i është ndalë letërnjoftimi. Gjë që sipas tyre, nuk ka shpjegim ligjor për këtë veprim të policisë.

PSD kërkon hetime ndaj policëve dhe vijës komanduese për këtë arrestim.

“Nol Nushi lirohet, por i ndalet letërnjoftimi. Ky veprim policor nuk ka asnjë shpjegim ligjor dhe si i tillë është tejet i dyshimtë. Prandaj duhet që ndaj policëve dhe vijës komanduese të hapen hetime urgjente”- thuhet më tej në njoftim.