FOTO: Ilustrim

Arrestohet 43 vjeçari për grabitjen në pompën e derivateve në Suharekë

Policia në Rajonin e Prizrenit ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për përfshije në një grabitje e cila ka ndodhur më 3 mars në Suharekë.

Policia ka njoftuar se më 3 mars 2021, orës 04:20, në rrugën “Xhavit Bajraktari” në Suharekë, ka ndodhur një grabitje në një pikë të derivateve.

“Sipas deklaratës së viktimës dy persona të dyshuar më maska anti- Covid dhe me armë në dorë duke e kërcënuar viktimën i kanë kërkuar para. Në këtë rast, më këtë rast sipas deklaratës së viktimës të dyshimtit kanë arritur t’i marrin para në vlerë 2 mijë e 500 euro. Të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se pas deklaratës së viktimës dhe informatave të mbledhura nga vendi i ngjarjes ka filluar me një hetim prelimar duke mbledhur dëshmitë relevante nga vendi i ngjarjes.

“Sektori i hetimeve në Suharekë duke punuar me profesionalizëm dhe duke krijuar profilin e personave të dyshimtë në bazë të deklaratës së viktimës dhe vëzhgimin e kamerave në zonë, ka arritur që përmes rrugëve operative-hetimore të bëjë identifikimin e më pas arrestimin e njërit nga të dyshuarit e këtij rasti të grabitjes. I dyshuari S.H, 43 vjeçar është arrestuar dhe ndaj tij është ushtruar kallëzim penal për grabitje”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka thënë se ka qenë në koordinim dhe bashkëpunim me prokurorin e Shtetit i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj personit të dyshuar.

“Policia është duke punuar për identifikim e personit të dytë në këtë rast dhe sigurisht se shumë shpejt edhe i dyshimti tjetër do të jetë para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar për grabitjen në pompën e derivateve në Suharekë.

Grabitje brenda pompës së derivateve në Suharekë