Arrestohet 38-vjeçari në Shtime, dërgohet menjëherë në burg

Policia e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit në Shtime, e ka arrestuar një person me inicialet SH.B., 38 vjeçar i cili ishte në kërkim nga autoritetet për posedim të narkotikëve.

Sipas Policisë, ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘’Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, me dënim burgimi prej gjashtë muajve.

“I njëjti është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas kompletimit të dokumentacionit është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj thotë se  do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk iu kanë përgjigjur thirrjes së gjykatës.